virusi-i-ri-koronal-covid-19-dhe-semundjet-kardiovaskulare-dritan-poci-kardiolog-arytmolog-docent

Virusi i ri koronal Covid-19, dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Dritan Poçi – Kardiolog/arytmolog, docent.

Virusi i fundit i influencës/gripit bën pjesë në grupin e Coronavirus 2 dhe shpesh në shumë individë shkakton të ashtuquajturin Sindromi Akut i Rëndë Respirator (SARS), duke prekur kështu organet e frymëmarrjes. Cilësia që e bën këtë virus më agresiv se koronaviruset e tjerë (tashmë të njohur si virusi i gripit të pulave, i gripit të derrit apo i gripit te Hong Kongut) është se ky virus depërton shumë shpejt në mushkëri, ndërkohë që koronaviruset e tjerë të porsapërmendur prekin fillimisht rrugët e frymëmarrjes, bronket.

Gjithashtu është tashmë vënë në dukje që shenjat klinike të gripit të Covid-19 janë mjaft të ngjashme me atë të gripit të zakonshëm, atij sezonal.

Që në fillimin e epidemisë në Wuhan të Kinës dhe më pas në përhapjen pandemike të infeksionit pothuaj në të gjithë globin, është raportuar nga mjekët kurues që të prekurit e moshuar dhe ata me sëmundje të njohur/kronike kardiovaskulare përbënin një grup në risk për zhvillim më të rëndë të gripit. Me fjalë të tjera, nëse e gjithë popullata ka të njëjtin shans apo risk për tu prekur nga Covid-19, vetëm një pjesë e saj përmban një risk të rritur për zhvillimin më agresiv të sëmundjes, deri edhe në pasoja fatale. Në këtë grup bëjnë pjesë individët me sëmundjen e insuficencës kardiake, me sëmundjen kronike të zemrës (koronare), me aritmi të zemrës, me sëmundjen kronike obstruktive të mushkrisë, duhanpirësit dhe ata me sindrom metabolik ku bën pjesë obeziteti, hipertonia dhe toleranca e dëmtuar e glukozës (pre-diabeti).

Këto të dhëna u rikonfirmuan në një publikim të disa ditëve më parë nga Mehra MR dhe bashkëpunëtorët e tij në revistën prestigjioze mjeksore ”New England Journal of Medicine”, me 1 maj 2020. Autorët kishin vëzhguar në këtë studim ecurinë klinike të 8910 pacientëve të kuruar për shkak të Covid-19 në 169 spitale të ndryshme në Azi, Europë dhe në Amerikën e Veriut. Në këtë punim u vu re gjithashtu që individët e moshës 65 vjeç dhe më lart janë në risk të rritur kur preken nga Covid-19. Mjaft pozitiv në këtë vëzhgim klinik ishte fakti që gratë dhe individët të cilët mjekohen, për arësye të ndryshme,  me frenues të enzimës konvertazë (Enalapril, Kaptopril, Ramipril) apo me bllokuesit e receptorëve të angiotenzinës së 2 (Losartan, Candesartan, Irbesartan, Olmesartan, Valsartan) përbënin një risk më të ulët. Rezultati në lidhje me medikamentet e përmendura është mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës pasi mjekët në fillimin e pandemisë ishin mjaft të preokupuar për to, pikërisht për shkak të mekanizmit të veprimit të Covid-19. Për fat të mirë këto medikamente nuk përbëjnë rrezik, përkundrazi.

Në mënyrë të natyrshme bëhet pyetja, pse pikërisht individët me sëmundjet kardiovaskulare kanë një risk më të madh se individët e tjerë gjatë infektimit nga virusi Covid-19. Njihet tashmë që infeksionet virale rrisin në mënyrë të konsiderueshme proçesin e metabolizmit (shkëmbimin e lëndëve) në trupin e njeriut, duke shkaktuar kështu një lloj ç’ekuilibri (dekompesim) të organizmit. Në individët me insuficiencë të zemrës virusi e ka më të lehtë ta arrijë këtë dekompesim duke qenë se këta individë edhe në kushte normale e kanë rezervën e energjisë mjaft të kufizuar. Ndërkohë, disa viruse si ato të influencës dhe coxsackie shfaqin efekte toksike mbi muskulin e zemrës dhe mund të shkaktojnë sëmundjen inflamatore të zemrës, të ashtuquajtur miokardit. Po kështu, gripi shkakton destabilizimin e pllakës aterosklerotike dhe mund të përkeqësojë sëmundjen koronare, ose rrit riskun për aritmitë serioze ventrikulare të zemrës.  

Gjatë epidemive të mëparshme të viruseve të tjerë koronal janë vëzhguar mjaft efekte të padobishme kardiovaskulare edhe në individët e moshave të reja dhe pa sëmundje kardiovaskulare të njohur më parë. Zmadhimi i zemrës dhe ulja e funksionit të saj (funksionit sistolik të ventrikulit të majtë) janë vëzhguar më shpesh gjatë epidemisë së SARS në vitet 2002-2003.

Për të gjitha këto shkaqe të përmendura deri tani është shumë e rëndesishme që individët me sëmundje kardiovaskulare duhet të bëjnë një mjekim optimal të sëmundjes së tyre, për të parandaluar kështu përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme në rast infektimi nga Covid-19. Kjo gjithmonë duke mos harruar izolimin e këtyre individëve, ose më saktë kontrollin e kontaktit te tyre me individë të tjerë që mund të jenë burim infektimi. Me pak fjalë, është tepër e rëndësishme që individët me sëmundje kardiovaskulare  të monitorohen mirë gjatë kësaj periudhe, të testohen në raste dyshimi për infektim nga Covid-19 dhe të fillojë menjëherë mjekimi i duhur. Në rastet pozitive për infektim është e nevojshme kontrolli i shpeshtë i nivelit të oksigjenit në inde (saturimi i oksigjenit, SpO2) dhe përdorimi kur duhet i antikoagulantëve (holluesve te gjakut), subkutan, për parandalimin e ngjarjeve tromboembolike, gjithmonë sipas rekomandimit të mjekut.

Eshtë e rëndësishme të tërheq vëmendjen edhe për një risk tjetër të “vogël”, i cili është i pranishëm gjatë karantinës apo izolimit të nevojshëm në këtë periudhë që po kalojmë. Nuk duhet harruar që individët me sëmundje kardiovaskulare apo me sindromin metabolik duhet të jenë fizikisht aktiv në mënyrën më të mundshme për të parandaluar rritjen në peshë, e cila është mjaft e mundshme gjatë kësaj periudhe për shkak të qëndrimit mbyllur në shtëpi. Rritja në peshë mund të sjellë dëmtimin e ekuilibrit të domosdoshëm të yndyrnave në gjak, të nivelit të sheqerit  si dhe të tensionit arterial. Për të parandaluar këto ç’rregullime do të ishte shumë e rekomandueshme që këta individë të “rishikonin” në mënyrë rigoroze dietën e tyre gjatë këtyre javëve, duke shmangur kështu marrjen e sheqerit, ëmbëlsirave, karbohidrateve (brumrave), marrjen e shtuar të produkteve të mishit dhe të produkteve alkolike. Edhe njëherë, nuk duhet harruar planifikimi, kur të jetë e mundur, i daljeve në natyrë duke shmanguar takimet me individë të tjerë.

Këto këshilla apo rekomandime bëhen edhe më të nevojshme për tu marrë në konsideratë në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm, ndërkohë që shtete të ndryshme po përgatiten për rihapjen graduale të jetës ekonomike të vendeve të tyre.

Relatest posts

Leave Comments

Open chat
Powered by